Rreth “1≠1” 

Qasja në të dhëna publike të ndara sipas gjinisë është sfidë në Kosovë. Në fakt, një kritikë e hasur shpesh në raportet e progresit të BE-së është dështimi i institucioneve publike në Kosovë për të mbledhur dhe përdorur të dhëna të ndara sipas gjinisë për politikëbërje në të gjithë sektorët. Kjo mungesë e të dhënave e bën të vështirë, e thuajse të pamundur, integrimin e perspektivës gjinore në hartimin e politikave publike. 

Andaj QIKA ka krijuar platformën digjitale “1≠1”, e cila përmes vizualizimit do të shfaqë të dhënat e institucioneve publike për rastet e dhunës në familje në Kosovë, me fokus në dhunën ndaj grave. Platforma është e para e këtij lloji në Kosovë, e cila në mënyrë kreative shfaqë informata të detajuara për rastet e dhunës në familje, të ndara sipas gjinisë, komunës, përkatësisë etnike, mënyrës se si rastet janë zgjidhur, hapave që kanë ndërmarrë institucionet etj. 

Duke e konsideruar këtë platformë si mjet të rëndësishëm për të paraqitur pabarazitë ekzistuese gjinore, QIKA synon që në të ardhmen të zgjerojë platformën “1 ≠ 1”, duke shtuar të dhëna të ndara sipas gjinisë në fusha si arsimi, punësimi, shëndetësia, pronësia, buxheti publik, etj. Publikimi i këtyre të dhënave na ndihmon në vlerësimin e progresit në çdo angazhim të bërë për promovimin e barazisë gjinore dhe është një mundësi e mirë për të ndihmuar institucionet e vendit në hartimin e politikave të përgjegjshme gjinore dhe monitorimin e politikave ekzistuese nga perspektiva gjinore.

 

Për QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. QIKA është hapësirë për të reja e të rinj për të krijuar, punuar, lexuar, festuar e ëndërruar për një botë më të mirë e të barabartë për të gjithë. Ndërhyrja në diskursin publik përmes hulumtimeve, raportimeve, aksioneve dhe diskutimeve është motivi dhe metoda e qendrës sonë. 

Show all photos